Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ora e parë mësimore e 16 shkurtit do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Është një reflektim mbi historinë dhe përgjegjësinë tonë shtetërore! Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore e 16 shkurtit do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së UÇK-së”, ka shkruar Rama.
Ai shton se kjo iniciativë është një obligim institucional dhe moral për të kultivuar te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet e vendit.
“Si Kryeqytet, kemi detyrë të kultivojmë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet tona. Kujtesa historike është themel i identitetit dhe respektit për shtetësinë!”, nënvizon Rama.





