Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të mërkurën vazhdoi mbrojtjen i akuzuari Murseli, i cili u pyet lidhur me një e-mail, të cilin pretendohet se ia dërgoi administratës së burgut për të kërkuar takim me hetuesit, se kinse ka informacione lidhur me të akuzuarin Plava, e ku përmenden edhe dy vrasje të kryer nga ai.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Murseli, i cili mbrojtjen e nisi më 29 janar 2026, fillimisht pohoi se ka nënshkruar procesverbalin e 1 shkurtit 2024 dhe mbetet pranë asaj deklarate. Tha se në janar të vitit 2024 kishte parashtruar një kërkesë në Inspektorat.
Ai tha se asnjëherë nuk ka kërkuar nga administrata e burgut të shkojnë hetuesit për të biseduar me të.
Por, prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nga shkresat e lëndës rezulton se ekziston një e-mail i dërguar nga Murteli tek administrata e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, për t’ua përcjellë hetuesve, me arsyetimin se janë pranuar informacione në lidhje me të paraburgosurin Granit Plava.
“Naim Murseli e ka një info për Granit Plavën që i ka kryer dy vrasje të pasqaruara”, citoi prokurorja atë e-mail.
Gjithashtu, thuhet se aty ka deklaruar se ka informacione edhe për një armë të fshehur të llojit kallashnikov.
Pas kësaj, ajo tha se Prokuroria kishte dhënë autorizim që hetuesit Ibrahim Sahiti dhe Nazim Dalimi të shkojnë të bisedojnë me Murselin. Andaj, Perlinçeviq e pyeti Murselin nëse i kujtohet kjo vizitë nga hetuesit në burg.
“Po, më kujtohet. Ata kanë ardhë pa kërkesën time, pa dijeninë time, pa prezencën e avokatëve të mi”, tha i akuzuari Murseli.
Më pas, nga trupi gjykues iu kërkua prokurores që të fokusohet në objektin e akuzës, e që prokurorja tha se është duke parashtruar pyetje të tërthorta.
“Unë po e ballafaqoj me pjesët e deklaratave që i ka dhënë në Prokurori në data të ndryshme. Se ky po thotë që ka mbetur pranë deklarimeve të dhëna kur e ka pyet avokati”, tha prokurorja.
Më pas, i akuzuari Murseli shtoi se nuk e mohon takimin me hetuesit, por që sipas tij, nuk është bërë me kërkesën e tij dhe se asnjë procesverbal nuk ekziston nga ai takim.
Prokurorja iu drejtua duke i thënë se e-maili të cilin e përmendi është provë dhe është dorëzuar edhe te mbrojtja e tij.
“Nuk është provë ajo”, tha Murseli.






