Kur planifikon ta shtosh një “mbretëreshë” ose “mbret” të vogël me qime në shtëpinë tënde, mendoje mirë sepse jo të gjitha macet janë njësoj kur bëhet fjalë për jetesën brenda.
Disa janë “liderë” të lindur, disa janë lozonjare e kërkojnë vëmendje ndërsa disa të tjera sillen si aristokrate të vërteta. Ja racat që njihen si më të përshtatshmet për jetesë në ambiente të brendshme.
1. Ragdoll – “Dashuria që Shkrihet në Krahë”
Ragdoll është ideale nëse dëshiron një mace që sillet pothuajse si qen. Ato njihen për faktin që relaksohen plotësisht kur i merr në krahë. Janë të qeta, shumë të dashura dhe perfekte për familje.
Por problemi i tyre ështe se ndonjëher mund të jenë tepër të varura nga njerëzit dhe nuk duan të qëndrojnë vetëm gjatë ditës, gjë që mund të jetë problem për pronarët me orar të ngarkuar.


2. British Shorthair – “Aristokratja e Qetë”
E pavarur, e qetë, nuk kërkon shumë vëmendje dhe shumë e lehtë për mirëmbajtje.
Por mund të jetë pak e rezervuar dhe nuk ka dëshirë të përqafohet shumë, NUK është ideale nëse dëshiron një mace mjaullitëse që kërkon shumë vëmendje e që i adhuron puthjet e përqafimet.

3. Persian – “Diva Glamuroze”
Elegante dhe të qeta, përshtaten tejet mirë në një ambient të qetë.
Por mos harroni, qimet e gjata kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, gjithashtu mund të jenë të ndjeshme ndaj problemeve të frymëmarrjes për shkak të fytyrës së sheshtë (brachycephalic).

4. Maine Coon – “Gjiganti i Butë”
I madh, i butë, social dhe i zgjuar dhe përshtatet mirë me familjet.
Por madhësia e tyre gjigante, jo vetëm se i bën ca persona të kenë frikë nga to, por gjithashtu do të thotë se kërkojnë më shumë hapësirë dhe më shumë ushqim mund të jenë sfidë për apartamente të vogla.


5. Scottish Fold – “E Ëmbla me Veshë të Palosur”
E dashur, e adaptueshme dhe shumë e lidhur me njerëzit.
Por mos harroni se veshët e tyre të palosur janë të ndjeshëm ndaj problemeve të kockave dhe artritit, gjë që kërkon kujdes mjekësor dhe monitorim.

6. Siamese – “Superylli që “FLET” Shumë”
Shumë komunikative, energjike dhe të lidhura thellë me pronarët.
Por bazuar nga nofka, tejet të zhurmshme dhe kërkojnë shumë vëmendje, madje dijnë të bëhen të bezdisshme nëse i lë vetëm për një kohë të gjatë.


7. Russian Blue – “Shoqja e Qetë dhe Elegante”
Elegante, e rezervuar dhe shumë e pastër, e qetë dhe e përshtatshme për shtëpi të qeta.
Mund të jetë e turpshme dhe nuk lidhet menjëherë me të panjohurit, i nevojitet kohë për të shfaqur dashurinë.
Cila është zgjedhja jote?
-
Për shumë përqafime → Ragdoll
-
Për qetësi dhe pak mirëmbajtje → British Shorthair
-
Për stil dhe luks → Persian
-
Për energji dhe personalitet të fortë → Siamese
-
Për familje dhe hapësirë të madhe → Maine Coon
Edhe pse çdo mace ka personalitetin e vet, këto raca janë të njohura për përshtatshmërinë e tyre në shtëpi, por është mirë të mendohet edhe për disavantazhet para se të sjellësh një mace të re në familje.














