Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i Grupit Punues për Implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë (AVLE), të hapur nga Zëvendësministri i MPB-së dhe Koordinatori Nacional, Blerim Gashani.
Gjatë takimit u bë vlerësimi i zbatimit të Strategjisë AVLE, duke u diskutuar realizimi i objektivave strategjike dhe aktiviteteve të planifikuara. Sipas raportimeve, një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve janë realizuar sipas masave të parashikuara, ndërsa u diskutua edhe për adresimin e aktiviteteve që ende nuk janë zbatuar.
Zëvendësministri Gashani theksoi se zbatimi i Strategjisë është një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon koordinim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të përbashkët për arritjen e objektivave strategjike.
Një fokus i veçantë iu kushtua fushatës vetëdijesuese, e cila ka dhënë rezultate efektive, duke nxitur rritjen e numrit të qytetarëve që raportojnë rastet e të shtënave me armë. Sipas pjesëmarrësve, përfshirja e qytetarëve është kyçe për parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve dhe për rritjen e sigurisë publike.
Po ashtu, në takim u diskutuan sfidat e mbetura dhe nevojat për përmirësim të mëtejshëm të zbatimit të aktiviteteve, me qëllim avancimin e Planit të Veprimit dhe arritjen e objektivave të Strategjisë.
Takimi u vlerësua si konstruktiv dhe kontribuues në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe në zbatimin më efektiv të Strategjisë për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë.





