Familjet kosovare nuk janë të detyruara të furnizohen vetëm nga një kompani e vetme. Qytetarët mund të hyjnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, një mundësi që deri tani ishte e rezervuar më shumë për bizneset.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) konfirmon për Klan Kosova se konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë mund të ushtrohet në çdo kohë, duke respektuar kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale.
“Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse,” sqaroi ZRrE.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është parashikuar me kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Funksionimi i tregut bazohet në parimin e hapjes së tregut dhe të drejtën e konsumatorëve për zgjedhje të lirë.






