Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka vazhduar ditën e dytë të deklaratave përfundimtare në gjyqin ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Pas fjalës për Thaçin dhe Veselin, prokurori Matthew Howling ka nisur prezantimin e rolit të Rexhep Selimit. Ai ka përmendur planifikimin e sulmit të vitit 1997 ndaj stacionit të Policisë, duke theksuar se Selimi veproi me qëllim të kontribuonte për “qëllimin e përbashkët kriminal” të UÇK-së.
“Rexhep Selimi ishte jashtëzakonisht i qartë në planifikimin e sulmit. Ai konfirmoi pjesëmarrjen e tij dhe u caktua përgjegjës për goditjen më të madhe të koordinuar që UÇK kishte bërë deri atëherë. Selimi veproi përmes pozitave që mbante gjatë periudhës së mbuluar nga aktakuza, duke ndarë qëllimin e përbashkët kriminal”, tha prokurori Howling.





