Tatuazhet janë më të përhapura se kurrë, por hulumtimet e fundit po ngrenë pyetje rreth ndikimit të bojës së përhershme në shëndetin afatgjatë, përfshirë edhe një lidhje të mundshme me disa lloje kanceri.
Sipas një studimi të publikuar në European Journal of Public Health, rreth 13–21% e popullsisë në Evropën Perëndimore kanë të paktën një tatuazh.
Megjithatë, përkundër kësaj përhapjeje të madhe, dihet ende shumë pak për pasojat shëndetësore afatgjata të tatuazheve.
Studime të mëhershme kanë treguar se boja e tatuazheve mund të grumbullohet në nyjet limfatike, duke shkaktuar inflamacion dhe, në raste shumë të rralla, limfomë, një formë e kancerit të gjakut.
Një studim më i ri nga Universiteti i Danimarkës Jugore, i publikuar në vitin 2025 në revistën BMC Public Health, sugjeron se personat me tatuazhe mund të kenë rrezik më të lartë për kancer të lëkurës dhe limfomë.
Studiuesit analizuan të dhënat e binjakëve, duke krahasuar ata që kishin zhvilluar kancer me ata që nuk kishin.
Sipas rezultateve, binjakët me tatuazhe kishin gati katër herë më shumë rrezik për kancer të lëkurës, ndërsa rreziku për limfomë ishte 2.7 herë më i lartë.
Po ashtu, studimi sugjeron se tatuazhet më të mëdha se madhësia e pëllëmbës së dorës mund të rrisin më tej këtë rrezik.
“Sa më shumë bojë në trup, aq më i lartë duket të jetë rreziku,” ka deklaruar Signe Bedsted Clemmensen, bashkautore e studimit dhe profesoreshë e statistikës në universitetin danez.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto gjetje janë ende paraprake dhe nuk dëshmojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak–pasojë.
Faktorë të tjerë si lloji i bojës, vendi i tatuazhit, predispozitat gjenetike dhe mjedisi gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm.






