Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson një rritje prej 27 për qind, respektivisht 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërkohë, gjatë muajit janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në një rritje prej 32.9 për qind, apo 63,003 MWh më shumë energji elektrike të prodhuar.
Sipas KEK-ut, në total gjatë këtyre dy muajve, Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend.
KEK thekson se këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të korporatës, të cilët kanë luajtur rol kyç në arritjen e këtyre performancave pozitive në prodhim.






