Shkencëtarët kanë bërë të ditur një zhvillim premtues në trajtimin e kancerit, pasi një ilaç i ri eksperimental ka treguar se mund t’i nxisë qelizat kancerogjene të shkatërrohen vetë, pa i sulmuar drejtpërdrejt ato, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Startup-i mjekësor amerikan Neomorph, me seli në Kaliforni, ka nisur provën e parë klinike të ilaçit NEO-811, i cili synon trajtimin e karcinomës renale me qeliza të qarta (ccRCC) – forma më e zakonshme e kancerit të veshkave në Shtetet e Bashkuara. Sipas kompanisë, pacienti i parë ka marrë tashmë dozën fillestare të trajtimit.
NEO-811 i përket një klase të re barnash të njohura si “ngjitës molekularë”, molekula të vogla që lidhin proteinat përgjegjëse për sëmundjen me enzimat shkatërruese të organizmit. Ky proces bën që qelizat kancerogjene të aktivizojnë mekanizmat e tyre të vetëshkatërrimit, duke frenuar përhapjen e tumorit.
Ndryshe nga kimioterapia tradicionale, e cila sulmon drejtpërdrejt qelizat kancerogjene dhe shpesh dëmton edhe qelizat e shëndetshme, kjo qasje e re synon t’i “etiketojë” proteinat e dëmshme për t’u eliminuar nga vetë organizmi. Sipas Neomorph, kjo metodë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e efekteve anësore afatgjata, si dëmtimi i organeve, neuropatia, infertiliteti apo shfaqja e kancereve dytësore.
Qëllimi i provës klinike është të vlerësojë sigurinë dhe efektivitetin e NEO-811 tek pacientët me ccRCC të avancuar dhe të paoperueshëm. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Dr. Phil Chamberlain, deklaroi se rezultatet e para priten më vonë gjatë këtij viti.
“Kjo është një pikë kthese për Neomorph dhe përfaqëson vlerësimin e parë klinik të një ilaçi të zhvilluar plotësisht nga platforma jonë,” tha Chamberlain. “Të dhënat që do të mbledhim do të udhëheqin zhvillimin e mëtejshëm të këtij trajtimi dhe do të tregojnë potencialin e teknologjisë sonë për pacientët me nevoja të mëdha të paplotësuara.”
Kanceri i veshkave prek rreth 80 mijë persona çdo vit në SHBA dhe shkakton afërsisht 15 mijë vdekje, duke u renditur si kanceri i shtatë më i përhapur në vend. Forma ccRCC përbën rreth 80 për qind të rasteve dhe diagnostikohet kryesisht tek personat mbi moshën 60 vjeç.
Neomorph ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi me vlerë 1.6 miliardë dollarë me kompaninë farmaceutike AbbVie, si dhe partneritete me Novo Nordisk dhe Biogen, për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie. Kompania po shqyrton gjithashtu aplikimin e saj në trajtimin e llojeve të tjera të tumorëve.
Aktualisht, ende nuk është bërë e ditur se kur do të përfshihen më shumë pacientë në studim dhe kur do të publikohen rezultatet përfundimtare të provës klinike.






