Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 22 kryesues, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Kosovës në Komunën e Gjakovës.
Sipas komunikatës për opinion publik, kërkesa për paraburgim u dorëzua pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria njofton se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës. “Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thekson Prokuroria.
Gjatë hetimeve, janë intervistuar 22 kryesues lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare.






