Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në ditët në vijim do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Turqi, ku, siç tha ai, do të zhvillojë bisedime shumë të rëndësishme me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, duke paralajmëruar një sërë aktivitetesh intensive diplomatike në javët e ardhshme, raporton Anadolu.
Vuçiq këtë paralajmërim e bëri para gazetarëve në Mladenovac, pas hapjes së një gjimnazi të riparuar.
Ai paralajmëroi gjithashtu se më 15 shkurt, në Ditën e Shtetësisë së Serbisë, pret ardhjen e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një vizitë zyrtare në Beograd, duke theksuar se kjo vizitë ka “rëndësi të veçantë për Serbinë”, veçanërisht në fushën e energjetikës, ku dy vendet planifikojnë projekte të përbashkëta, përfshirë ndërtimin e një termocentrali me gaz.
Një ditë pas vizitës së Aliyevit, Vuçiq planifikon një udhëtim në Indi, ku do të marrë pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale dhe do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministrin indian Narendra Modi, si dhe bisedime me liderë të tjerë botërorë.
Akuza ndaj Kroacisë
Ai tha se për pretendime të tilla, siç u shpreh, nuk nevojitet shërbim inteligjent, pasi ato janë “të dukshme me sy të lirë”, duke shtuar se Zagrebi shpreson për ndryshime të pushtetit në Serbi.
Shqetësim për aleancën ushtarake në rajon
Presidenti i Serbisë deklaroi gjithashtu se është “shumë i shqetësuar” për aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim ushtarako-teknik, por për një aleancë që mund të ketë edhe karakter ofensiv.
Sipas tij, Serbia disponon të dhëna të inteligjencës për bisedimet që, siç tha ai, po zhvillohen lidhur me drejtimet e mundshme të sulmit dhe mbrojtjes, si dhe për përpjekjet e Prishtinës për të siguruar armatim shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqia.
Vuçiq tha se qytetarët e Serbisë nuk duhet të shqetësohen, duke theksuar se “kapacitetet e Ushtrisë së Serbisë po forcohen vazhdimisht”.
Zhvillimi teknologjik dhe robotët
Vuçiq deklaroi gjithashtu se Serbia në pesë muajt e ardhshëm mund të nisë prodhimin e robotëve humanoidë të parë, nëse sigurohen sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike.
Ai paralajmëroi bisedime me drejtuesit e “Elektroprivredës së Serbisë” (EPS) për rritjen e kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se shteti dëshiron të hyjë sa më shpejt në fushën e robotikës së avancuar dhe automatizimit./Anadolu/






