7.7 C
Pristina
Friday, February 6, 2026

Vetëvendosje refuzon të votojë buxhetin e Prishtinës për 2026

Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit, Ekonomia Online.

Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, prezantoi strukturën e buxhetit dhe kërkoi aprovimin e tij në tërësi. LDK dhe PDK shprehën mbështetje, duke theksuar stabilitetin dhe zhvillimin, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk do ta votojë buxhetin, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.

Buxheti për vitin 2026 është i ndarë në 5 kategori: paga dhe mëditje (48.3 milionë euro), mallra dhe shërbime (32 milionë), shpenzime komunale (3.5 milionë), subvencione dhe transferime (6.8 milionë) dhe investime kapitale (60.8 milionë). Makolli theksoi se buxheti përfshin projekte kapitale të ndara sipas kategorive dhe shpenzime operative që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, duke kërkuar aprovimin e tij në tërësi.

LDK, përmes Jeta Rafunës, e përkrahu buxhetin duke e cilësuar si instrument zhvillimi që adreson nevojat e qytetarëve dhe përmirëson jetën e përditshme. PDK, përmes Leutrim Retkocerit, theksoi se buxheti vjen në rrethana të vështira pas sfidave të vitit 2025 dhe se grupi i asamblistëve është i përkushtuar për stabilitet dhe transparencë, duke kërkuar përfshirje të qytetarëve dhe raportime të qarta.

Nga ana tjetër, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje kritikoi buxhetin, duke argumentuar se rritja e tij po prezantohet gabimisht si sukses qeverisës dhe se Prishtina po ngec. Ai vuri në dukje mungesën e raportit financiar për vitin paraprak dhe probleme ligjore në tri projekte kryesore: Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”. Sveçla theksoi se PDK-ja po e përkrah këtë buxhet, i cili sipas VV-së, i shërben më shumë interesave të saj sesa LDK-së.

Ky buxhet pritet të përkrahet gjithashtu edhe nga partia Lidhja e Prishtinës dhe Nisma.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA