Numri i ankesave të dorëzuara në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor është rritur në gjashtë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, ka konfirmuar për Gazetën Express se ankesat janë paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas saj, ankesat janë dorëzuar nga subjekte dhe individë të ndryshëm politikë. Një ankesë administrative është paraqitur nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një tjetër nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe një ankesë nga Emilia Rexhepi (NDS).
Po ashtu, një ankesë administrative është paraqitur nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka (NDS) nga Prizreni, ndërsa dy ankesa të tjera janë dorëzuar nga Bekim Haxhiu, gjithashtu kundër vendimeve të PZAP-së.
Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh për të shqyrtuar dhe marrë vendim lidhur me këto ankesa.






