Komuniteti i Neuropsikofarmakologjisë në Itali apelon që aktiviteti fizik të konsiderohet si një “mjekim” dhe të jepet me recetë nga mjeku. Sporti nuk është vetëm një këshillë e përgjithshme, por një pjesë e integruar e protokolleve terapeutike për pacientët me shqetësime të humorit dhe gjendjes emocionale në të gjitha moshat.
Studimet shkencore tregojnë se lëvizja fizike ndikon pozitivisht në sistemet e dopaminës dhe serotoninës, duke përmirësuar humorin dhe duke reduktuar ndjeshëm simptomat e ankthit dhe depresionit.
Adoleshentët që ushtrojnë rregullisht kanë rreth 30% më pak rrezik për t’u prekur nga shqetësime emocionale krahasuar me bashkëmoshatarët më sedentare. Tek të rriturit, reduktimi i riskut arrin deri në 40%, duke përfshirë gjithashtu përballimin më të qetë të stresit dhe ritmeve të shpejta të jetës moderne.
Aktiviteti fizik i rregullt përmirëson gjumin, redukton stresin reaktiv dhe ndihmon në funksionet e trurit, duke shkarkuar tensionin e akumuluar në nivel fizik dhe neurologjik. Ekspertët theksojnë se ky është një mjet efikas dhe natyral për mirëqenien psikike, që nuk duhet injoruar.






