Rrjeti më i madh social në botë, Facebook (Meta), feston sot, më 3 shkurt, 21-vjetorin e krijimit.
Më 4 shkurt të vitit 2004, një student i vitit të dytë në Universitetin e Harvardit promovoi nga dhoma e tij e konviktit një faqe interneti, pa e ditur se projekti i quajtur TheFacebook do të shndërrohej në një fenomen global që do të ndryshonte mënyrën se si miliarda njerëz komunikojnë, lidhen dhe konsumojnë informacion. Në fillim, gjithçka ishte vetëm një eksperiment.
Në tetor të vitit 2003, 19-vjeçari Mark Zuckerberg krijoi Facemash, një faqe ku studentët vlerësonin atraktivitetin e njëri-tjetrit. Për të siguruar fotot, ai hyri në serverët e mbrojtur të Harvardit, veprim që zemëroi administratën universitare dhe çoi në mbylljen e faqes.
Edhe pse u ndëshkua, Facemash tregoi diçka thelbësore, ekzistonte një interes i madh dhe i pashfrytëzuar për një përvojë sociale dixhitale të ndërtuar mbi identitete reale.
Vetëm disa muaj më vonë, më 4 shkurt 2004, u lançua “TheFacebook.com”.
Zuckerberg realizoi projektin me ndihmën e kolegëve të tij: Eduardo Saverin, i cili u kujdes për anën e biznesit, programuesi Dustin Moskovitz, dizajneri grafik Andrew McCollum dhe Chris Hughes, përgjegjës për promovimin. Secili prej tyre investoi rreth një mijë dollarë.
Suksesi ishte i menjëhershëm. Brenda 24 orëve të para u regjistruan mbi 1,200 studentë të Harvardit dhe deri në fund të muajit më shumë se gjysma e studentëve të ciklit të parë kishin krijuar profilin e tyre. Platforma u përhap shpejt edhe në universitete të tjera prestigjioze si Yale, Stanford dhe Columbia.
Zuckerberg e kuptoi shpejt potencialin e platformës dhe veproi me vendosmëri. Në qershor të vitit 2004, ai dhe ekipi i tij u zhvendosën në Palo Alto të Kalifornisë, në zemër të Silicon Valley. Atje siguruan investimin e parë të madh prej 500 mijë dollarësh nga bashkëthemeluesi i PayPal, Peter Thiel. Deri në dhjetor të po atij viti, Facebook kishte arritur një milion përdorues.
Në fund të janarit 2026, Mark Zuckerberg shënoi një tjetër moment historik, duke “fituar” rreth 22 miliardë dollarë brenda një dite, pasi Meta publikoi një raport të fortë financiar që çoi në rritje të ndjeshme të çmimit të aksioneve.






