Policia e Kosovës ka gjetur sërish armë, municion dhe mjete të tjera të dyshimta ilegale në veriun e vendit, konkretisht në Mitrovicë Veri. Kontrollet u zhvilluan pas marrjes së informacionit nga qytetarët se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki” mund të gjendeshin mjetet e dyshimta.
Gjatë kontrollit në bodrumin kolektiv, policia ka sekuestruar tre armë të gjata, një tytë vazhduese, një kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishek, një granadë dore tymuese, dy antiplumba ushtarakë, si dhe katër mostra të mundshme ADN-je. Përveç këtyre, janë gjetur edhe dy jakna ushtarake, një bluzë dhe një palë pantallona të uniformës ushtarake, mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar inicimin e procedurave për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë ose veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, duke theksuar se siguria e komunitetit varet nga bashkëpunimi i ndërsjellë.






