Katër të rinj janë arrestuar nga Policia e Fushë Kosovës nën dyshimin për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur ditën e diel, më 1 shkurt 2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.
Gjatë incidentit, një nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjes me një mjet të mprehtë, ndërsa personat e tjerë janë lënduar gjatë një përleshjeje.
Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar, të gjithë 18-vjeçarë dhe shtetas të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë hetimore dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.






