Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka shërbyer mbi 4.6 milionë pasagjerë, ndërsa janë realizuar gjithsej 29,962 fluturime hyrje-dalje.
Sipas njoftimit zyrtar të aeroportit, këto të dhëna dëshmojnë një rritje të konsiderueshme si të numrit të udhëtarëve, ashtu edhe të fluturimeve, krahasuar me vitin paraprak.
“Mbi 4.6 milionë pasagjerë dhe 29,962 fluturime (vajtje/ardhje) përfaqësojnë një rritje të ndjeshme në raport me vitin e kaluar dhe pasqyrojnë besimin e vazhdueshëm të pasagjerëve tanë. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë”, thuhet në njoftimin e Aeroportit të Prishtines.






