Mozaiku i Tiranës është përzgjedhur si një nga të nominuarit për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, i ndarë nga revista prestigjioze ndërkombëtare e arkitekturës, ArchDaily.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se ky nominim e vendos Tiranën në hartën botërore të arkitekturës bashkëkohore.
Sipas Gonxhes, Mozaiku i Tiranës përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëjetesës mes trashëgimisë historike dhe arkitekturës moderne.
“Ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, raporton KosovaPress.
Mozaiku i Tiranës daton që nga shekulli i tretë dhe është zbuluar gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për ndërtimin e një kompleksi banesor.
Sot, kjo hapësirë funksionon si një ambient modern ekspozimi, i dedikuar prezantimit të mozaikëve më të rëndësishëm, duke u shndërruar gradualisht në një destinacion të rëndësishëm kulturor për kryeqytetin.
Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative të dedikuara për fëmijë dhe të rinj, Mozaiku i Tiranës ofron një qasje të re bashkëkohore në interpretimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare, shkruan ATSH, transmeton KosovaPress.
Përveç vlerës historike, godina shërben edhe si një pikë informative vizuale, duke pasqyruar pasurinë e madhe të mozaikëve që gjenden në nëntokën arkeologjike të Shqipërisë






