Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën këtë javë pas një shembjeje të minierës në Republikën Demokratike Lindore të Kongos.
Kështu bëri të ditur për Reuters, Lumumba Kambere Muyisa, zëdhënës i guvernatorit të emëruar nga rebelët të provincës ku ndodhet miniera.
Miniera e Rubaya prodhon rreth 15% të koltanit në botë, i cili përpunohet në tantal – një metal rezistent ndaj nxehtësisë dhe shumë i kërkuar nga prodhuesit e telefonave celularë, kompjuterëve, komponentëve hapësinorë dhe turbinave me gaz. Vendi, ku vendasit gërmojnë manualisht për disa dollarë në ditë, ka qenë nën kontrollin e grupit rebel AFC/M23 që nga viti 2024.
Shembja ndodhi të mërkurën, ndërsa numri i saktë i viktimave ishte ende i paqartë deri të premten në mbrëmje.
“Më shumë se 200 persona ishin viktima të kësaj rrëshqitjeje dheu, përfshirë minatorë, fëmijë dhe gra. Disa njerëz u shpëtuan pikërisht në kohë dhe kanë lëndime serioze,” tha Muyisa. Ai shtoi se rreth 20 persona të plagosur po trajtohen aktualisht në mjediset shëndetësore.
Një këshilltar i guvernatorit tha se numri i të vdekurve të konfirmuar është të paktën 227. Ai foli në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të informonte median.






