Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës, ka realizuar vizitën e parë zyrtare të PK-së në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, raporton KosovaPress.
Vizita u zhvillua më 23 janar, ku delegacioni kosovar pati mundësinë të vëzhgojë nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, një nga pikat më të ngarkuara kufitare të SHBA-së. Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të Shteteve të Bashkuara, si dhe me zyrtarë të tjerë kufitarë amerikanë.
Kjo vizitë u organizua me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, përmes programit DOJ-ICITAP. Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u njohën me praktikat e avancuara të menaxhimit kufitar, si dhe me përdorimin e teknologjive moderne në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare.
Vizita synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë kufitare.






