Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, Nysret Bytyqi, është arrestuar në lidhje me dyshimet për manipulim të votave në këtë komunë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar avokati Blend Gjini, i cili tha se arrestimi është i paligjshëm sepse është “paragjykuar detyra e tij”.
“Ai është dorëzuar në polici dhe po presim çka do të vazhdojë”, tha Gjini, i cili shtoi se gjatë intervistës me të si avokat, Byqyti dhe ai kanë vendosur që të vazhdojnë në heshtje.
“Nuk ka të bëjë me ankesa të ndonjë subjekti. Asnjë subjekt s’është ankuar për të si kryetar i KKZ-së. Ai dyshohet se nuk ka reaguar ndaj parregullsive. [Arrestimi] është paragjykues. Me shumë gjasë është ndaluar 48 orë”, tha ai.
Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës në Prizren ditë më parë ndaluan 109 persona për manipulim votash gjatë numërimit të tyre të zgjedhjeve të fundit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Rinumërimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxori në pah një vjedhje masive të votave, të cilat disa kandidatëve për deputetë iu shtuan e disa të tjerëve iu hoqën brenda partive politike.






