Benfica ka shënuar një fitore spektakolare 4-2 ndaj Real Madridit, duke siguruar biletën e fundit për play-offin e Ligës së Kampionëve dhe duke shkaktuar një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni evropian. Skuadra portugeze, e drejtuar nga Jose Mourinho, përmbysi parashikimet dhe mbajti gjallë ëndrrën evropiane pas një rrugëtimi të vështirë në fazën e ligës.
Pas përfundimit të ndeshjes, Mourinho vlerësoi kundërshtarët dhe theksoi se humbja nuk e zbeh aspak forcën e Real Madridit në garën për trofeun.
“Më pëlqen të shkoj në Madrid dhe më pëlqen të shkoj në Milano. Të takosh miqtë është gjithmonë kënaqësi. Reali dhe Interi janë ekipe që mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Ne, në rastin më të mirë, mund të bëjmë diçka të jashtëzakonshme si sonte”, deklaroi trajneri portugez.
Ndeshja nisi me epërsinë e Real Madridit, pasi Kylian Mbappe realizoi golin e parë në minutën e 30-të. Megjithatë, Benfica reagoi shpejt me golat e Andreas Schjelderup dhe Vangelis Pavlidis, duke përmbysur rezultatin.
Në pjesën e dytë, Schjelderup kompletoi dopietën e tij, ndërsa Mbappe shënoi edhe golin e dytë për madrilenët, duke e mbajtur ndeshjen të hapur deri në minutat e fundit.
Heroi i mbrëmjes u bë portieri Anatoliy Trubin, i cili realizoi gol në minutat shtesë, duke vulosur kualifikimin e Benfikës në fazën eliminatore. Ky sukses konsiderohet i jashtëzakonshëm për skuadrën portugeze, e cila kishte humbur katër ndeshjet e para të fazës së ligës, por u rikthye fuqishëm me një fitore që tronditi futbollin evropian.






