Të mërkurën në qendër të qytetit të Podujevës një person ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në ora 13:29, ndërkaq është cilësuar si ‘vrasje e mbetur në tentativë’.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, por nuk janë goditur”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzoja, ndërsa nga predhat janë dëmtuar dy vetura.
Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 me një karikatorë me 15 copë fishekë.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.






