Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Të pandehurit janë: Afrim Gashi- zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi- Udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit në Komunën e Prishtinë dhe Bashkim Sadiku – Zyrtar i lartë për energji në kryeqytet.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, gjatë janarit 2026 në Prishtinë, të tre të dyshuarit e kanë takuar fituesin e tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve duke i kërkuar para ryshfet 5,500-6,000 euro, apo 10% të vlerës së dy faturave të pa paguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave në vlerë njëra 27,384.08 euro dhe tjetra në vlerë 28,010.40 euro.
Me këtë të dyshuarit: Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashim Sadiku, në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria përshkruan se më 27.01.2026 në kohë dhe vende të ndryshme në Prishtinë të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake për të pranuar ryshfet dyshohen se kishin lënë takim me të dëmtuarin Ekrem Gashi, në ora 08:40 në rrugën ‘Zagrebi’ në Prishtinë.
Sipas dosjes, fillimisht i pandehuri Afrim Gashi e takon të dëmtuarin Ekrem Gashi në mënyrë të kundërligjshme dyshoeht se pranon shumë prej 2,000 euro në veturën, e aty arrestohet në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Pastaj pronari i kompanisë rreth orës 09:49 afër shkollës ‘Gjergj Fishta’ në Prishtinë e takon Dukagjin Gashin dhe kur i ka nxjerrë paratë prej 2,000 euro, i pandehuri Dukagjini i thotë “jo, jo leje njëherë”, duke i thënë se “shihemi prapë” – pra aty nuk e pranon shumë të cilën e kishte kërkuar më datën 23.01.2026.
Kurse, i dëmtuari Ekrem Gashi sipas marrëveshjes më 15.01.2026, ku ishte takuar me të pandehurin Bashkim Sadiku tek kafja përball Komunës së Prishtinës dhe i kishte thënë “ti përmbaju marrëveshjes dhe sa të kesh para mund të na japësh në mënyrë që të kryhet puna jote sa më shpejt”. Dhe sipas dosjes ditën kritike, më 27.01.2026 rreth orës 10:40 është takuar në zyrën e tij, por aty ishte i pranishëm edhe i pandehuri Dukagjin Gashi, i cili sipas xhirimeve me audio dëgjohet duke i thënë Bashkimit “hec shko kryej qatë punë që të thash, edhe mos e diskuto, po nisu menjëherë”, duke mos e lejuar të kontaktoj më shumë me të dëmtuarit e gjithashtu duke mos e lejuar që të dal në kafe, pas kësaj bisede, Dukagjin Gashi e pyet të dëmtuarin nëse është takuar me Afrimin sot, pasi që e ka thirr dikush prej juve në telefon Afrimin edhe tash Afrimi është tek Muhaxherët (duke iu referuar stacionit policor).
Me këtë të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashim Sadiku, në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
“Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Ne mbetemi të përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”- ka shkruar Rama më 28.01.2026. /Kallxo






