Një fëmijë nga Gadimja e Lipjanit, Zejn Zejnullahu, ka humbur jetën dje pasi dyshohet se ka rënë në lumin e Gadimes, ndërsa rrethanat e rastit janë duke u hetuar nga organet e drejtësisë.
I mituri ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi pas përfundimit të mësimit. Pas disa orësh kërkimi, ai u gjet në lumin e Gadimes dhe u dërgua me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nga QKUK është konfirmuar se fëmija kishte mbërritur pa shenja jete.
“Pacienti ka ardhë pa shenja jete. Përkundër masave reanimuese, pacienti ka ndërruar jetë”, ka deklaruar doktoresha Dafina Basholli.
Lidhur me rastin, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës, e cila në raportin 24-orësh ka bërë të ditur se kërkimi për të miturin kishte nisur menjëherë pas raportimit të zhdukjes.
“Pas pranimit të informatës se viktima mashkull kosovar nuk është kthyer në shtëpi, është organizuar kërkimi, me ç’rast nga një dëshmitar viktima është gjetur në lumë. I njëjti është dërguar në QKUK, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen”, thuhet në raportin policor.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është angazhuar menjëherë në rast dhe se trupi i pajetë është dërguar për autopsi.
“Prokurori i Shtetit në Departamentin për të Mitur, menjëherë pas marrjes së informatës, ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit policorë. Prokurori ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
I ndjeri Zejn Zejnullahu ishte nxënës i shkollës fillore “Zejnel Hajdini” në Gadime. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe në familje, shkollë dhe komunitet.
Ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.






