WhatsApp i kompanisë Meta do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes më të rreptë nga Bashkimi Evropian, pasi Brukseli e ka klasifikuar shërbimin si Platformë Shumë e Madhe Online, në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së.
Vendimi, i shpallur të hënën, ka të bëjë konkretisht me Kanalet WhatsApp, të cilat u mundësojnë administratorëve të transmetojnë njoftime për një numër të madh përdoruesish. Ky funksion i ri e vendos WhatsApp-in në të njëjtën kategori rregullatore me platforma si Facebook, Instagram, X dhe TikTok.
Si rezultat, WhatsApp do të jetë përgjegjës për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve sistemike, përfshirë përhapjen e përmbajtjes së paligjshme, ndikimin në debatin publik, proceset zgjedhore dhe të drejtat themelore. Shërbimi i mesazheve private mbetet i përjashtuar nga kjo rregullore.
Meta ishte njoftuar paraprakisht për këtë vendim, pasi që nga gushti kishte raportuar se Kanalet WhatsApp numëronin mbi 51.7 milion përdorues në BE, duke kaluar pragun prej 45 milionësh të përcaktuar nga rregullorja evropiane.
Kompania tani ka afat katër muaj për të vlerësuar dhe zbatuar masa që reduktojnë rreziqet dhe përputhen me kërkesat e BE-së.
Në një reagim zyrtar, zëdhënësi i WhatsApp, Joshua Breckman, tha se kompania mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të sigurisë dhe integritetit të platformës, duke respektuar standardet rregullatore dhe përgjegjësinë ndaj përdoruesve.






