Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar njoftimin me numër 2026.0598, i cili lidhet me produktin ushqimor për foshnje “APTAMIL AR 2”.
Sipas këtij njoftimi, në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është konstatuar prania e substancës Cereulide, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin. Për këtë arsye është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu.
Duke marrë parasysh nivelin e lartë të rrezikut, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa urgjente për largimin nga tregu të produktit APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gr. Produkti është prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), ndërsa importues në Kosovë është kompania UNION SH.P.K. nga Vushtrria.
Agjencia u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që e posedojnë këtë produkt të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes ku është blerë.
AUV [po ashtu thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.






