Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka reaguar ashpër ndaj ligjëratës së mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale, në bashkëpunim me organizatën YIHR, duke e cilësuar atë të papranueshme për institucionet arsimore.
Kjo Sindikatë thotë se institucionet arsimore nuk duhet të shfrytëzohen “për promovimin e një narrative të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi”.
SBAShK-u thekson se për më shumë se pesë vjet në paraburgim po mbahen ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur këtë “padrejtësinë më të madhe”, ndërsa vlerëson se Gjykata Speciale po “gjykon njëanshëm luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke e barazuar viktimën me agresorin”.
Sindikata ka kritikuar edhe përfshirjen e organizatës YIHR, për të cilën thotë se “ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike, kombëtare dhe arsimore të shoqërisë sonë”.
SBAShK-u u ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” që “të marrin masa konkrete dhe të mos lejojnë që shkollat të shndërrohen në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike”.
Në fund, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës riafirmon përkrahjen për vlerat e UÇK-së dhe për ish-drejtuesit e saj që po mbahen në Hagë, duke theksuar se “liria e Kosovës nuk është krim” dhe se “lufta për arsim, liri dhe dinjitet nuk gjykohet”.






