Sulmuesi kosovar Mirlind Daku nuk u aktivizua në daljen e parë të vitit të Rubinit të Kazanit, për shkak të një dëmtimi të lehtë, që e pengoi të jetë në fushë gjatë fitores 3-1 të skuadrës ruse ndaj ekipit serb IMT Beograd. Ndeshja u zhvillua në Antalia, ku Rubini po zhvillon fazën përgatitore për pranverën, ndërsa në Rusi dimri i ashpër e detyron ekipin të punojë në stërvitje jashtë vendit.
Trajneri i ri katalanas, Frans Artiga, në një deklaratë për televizionin e klubit, theksoi se Daku ka disa shqetësime shëndetësore dhe nuk mund të rrezikohej, por shtoi se futbollisti kosovar do të rikuperojë sa më shpejt për t’u bashkuar me ekipin në rinisjen e kampionatit në Premier Ligën ruse më 28 shkurt.
“Mirlind është futbollisti më i mirë i skuadrës dhe do të na ndihmojë shumë në pranverë,” deklaroi trajneri Artiga, duke qetësuar tifozët se lëndimi nuk është serioz.
Daku po zhvillon një sezon shumë të mirë me 9 gola në kampionat, vetëm dy më pak se shënuesi më i mirë Aleksei Batrakov. Sulmuesi nga Kosova ka premtuar se nuk do të largohet nga Rubini deri në përfundim të sezonit.
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndeshjen e radhës më 26 mars në Varshavë ndaj Polonisë, duke i dhënë Dakut kohë të mjaftueshme për të rikuperuar dhe për t’u rikthyer në formën më të mirë.






