Policia e Kosovës ka ekstraduar një të dyshuar për në Gjermani, si dhe ka transferuar një të dënuar nga Hungaria në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
Shtetasi gjerman kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane, për përfshirje në veprën penale “kontrabanim me migrantë” dhe i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.
“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman”, thuhet në njoftim.
Ndërsa nga Hungaria për në Kosovë është transferuar shtetasi i Kosovës i dënuar në shtetin e Hungarisë, për veprën penale “Grabitje dhe Privim i kundërligjshëm i lirisë”.
Pas transferimit, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin Hungarez.
“Ekstradimi dhe Transferimi u realizuan nën masa të rrepta të sigurisë”, theksohet në njoftim.






