Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të ketë ndodhur në një filial të operatorit Vala në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit në rrugën “UÇK”. Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Ai bëri të ditur se njësitet policore dhe Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në koordinim me Prokurorinë kompetente, kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një rast të vjedhjes së rëndë në një lokal në rrugën UÇK në Prishtinë. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë”, ka deklaruar Pllana.
Aktualisht nuk dihet se çfarë është marrë nga objekti, ndërsa policia po vazhdon hetimet.






