Është përmbyllur programi pesëvjeçar për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë, i zbatuar nga FAO dhe i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë. Në ceremoninë përmbyllëse u vlerësuan arritjet kryesore të programit në ruajtjen e burimeve natyrore dhe zhvillimin e zonave rurale.
Përfaqësuesja e FAO-s, Daniela Mangione, theksoi se programi ka ndihmuar në përmirësimin e koordinimit institucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen e komuniteteve rurale. Sipas saj, mbi 500 persona kanë përfituar drejtpërdrejt nga projektet, ndërsa barazia gjinore dhe ndërgjegjësimi mjedisor kanë qenë pjesë e rëndësishme e ndërhyrjeve.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Imri Demelezi, vlerësoi kontributin e projektit në funksionalizimin e sistemit informativ pyjor dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai theksoi se në kuadër të programit janë siguruar pajisje moderne për monitorimin e pyjeve, përfshirë automjete dhe dronë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Eva Palatova, tha se pyjet janë thelbësore për ekosistemin dhe stabilitetin ekonomik.
Ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, e cilësoi projektin si një histori suksesi të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se gjatë zbatimit janë mbështetur reformat ligjore, është përmirësuar sistemi informativ pyjor dhe është funksionalizuar qendra trajnuese në Blinajë.
Ndërkohë, nga Agjencia Pyjore e Kosovës u theksua se projekti ka sjellë përmirësime konkrete në aspektin operacional, përfshirë pajisje teknologjike, trajnime profesionale dhe forcim të kapaciteteve për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe prerjet ilegale.
Me përmbylljen e këtij programi, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendore shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen, me synim ruajtjen e pyjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në Kosovë.






