Ndërprerjet dhe reduktimet e energjisë elektrike po shkaktojnë vështirësi të mëdha për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe veprimtarinë ekonomike, sidomos gjatë sezonit të dimrit.
Bizneset e vogla, veçanërisht furrat e bukës, thonë se mungesa e rrymës po u sjell humbje të drejtpërdrejta. Furrtari Hamzë Osmanollaj nga Prizreni thekson se ndërprerjet e shpeshta po e pamundësojnë procesin normal të punës.
“Gjatë ditës së djeshme kemi pasur shumë ndërprerje dhe defekte. Rryma po na shkakton dëme të mëdha, sepse brumi që përgatitet dhe mbetet pa u pjekur duhet të hidhet. Në atë fazë nuk mund të pritet. Edhe klientët reagojnë dhe ankohen, duke pyetur pse po ndodh kjo dhe kur rikthehet rryma”, u shpreh Osmanollaj.
Ai shtoi se bizneset nuk kanë alternativa funksionale për të vazhduar punën.
“Kërkojmë që të mos ketë më reduktime, sepse me gjeneratorë nuk mund të operojmë”, tha ai.
Pakënaqësi ka edhe te qytetarët. Naim Prebreza e konsideron të paarsyeshme që në vitin 2026 vendi të përballet ende me ndërprerje të energjisë elektrike.
“Ka shumë ankesa nga bizneset. Ne jemi vetëm dy punëtorë, por ka biznese me dhjetëra punëtorë dhe kjo situatë i dëmton seriozisht. Nuk ka asnjë justifikim që kjo të ndodhë sot”, tha ai.
Ndërkohë, qytetarja Nexhmije Rrustemi shpreh shqetësim edhe për koston e lartë të faturave të energjisë elektrike, përkundër përdorimit të kufizuar të rrymës.
“Muajin e kaluar fatura ishte 164 euro. Është e papërballueshme. Ngrohemi me dru dhe nuk përdorim pajisje të mëdha elektrike, por megjithatë pagesat janë shumë të larta. Edhe reduktimet po na shkaktojnë telashe të mëdha”, u shpreh ajo.
Qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve po kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe masa konkrete për të parandaluar ndërprerjet, duke theksuar se situata aktuale po rëndon jetesën dhe ekonominë.






