Banorët në rrugën “Ferid Curri” në lagjen Arbëria në Prishtinë, tash e disa ditë po përballen me mungesë të ujit, e cila po ua vështirëson jetën e përditshme.
Një banor i kësaj lagjeje, tha për Sinjalin se uji në lagje ku jeton ai më shumë janë pa ujë se me të.
Sipas tij ujë kanë vetëm dy orë në ditë, e që kjo mungesë po shkakton shumë telashe.
Ai për Sinjalin madje ka dyshime se KRU Prishtina ua ka ndërprerë atyre furnizimin e rregullt në mënyrë që banorët e Fushë Kosovës të kenë ujë pasi që furnizohen me ujë nga i njëjti liqen, nga ai i Batllavës.
“Kohët e fundit, KRU Prishtina po furnizon vetëm Fushë Kosovën përmes Batllavës ndërkohë që ata janë të siguruar me ujë, pasi ka pasur një rregullim të situatës atje”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë çështje, Sinjali ka kontaktuar KRU Prishtinën për të marrë një sqarim në lidhje me ankesat e banorëve të kësaj lagjeje dhe në një përgjigjje të tyre ata janë justifikuar se shkak është situata e fundit me vërshime.
“Kjo situatë është krijuar si pasojë e turbullirave të shtuara në burimin e ujit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e trajtimit, si dhe për shkak të kapacitetit të zvogëluar të impiantit të trajtimit. Për rrjedhojë, sasia e ujit të trajtuar dhe e shpërndarë është më e ulët se nevojat reale të konsumatorëve”, kanë thënë nga KRU Prishtina.
Nga Ujësjellësi kanë thënë se ekipet e tyre janë duke punuar në stabilizimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit normal sa më shpejt që të jetë e mundur, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët që të kursejnë ujin deri në përmirësimin e furnizimit me ujë.
“Për shkak të mungesës së ujit nga Batllava, jemi duke u munduar të shpërndajmë ujë në mënyrë të kufizuar nga Shkabaj, pasi situata është e tillë aktualisht”, thuhet në sqarimin e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.
Pavarësisht këtyre sqarimeve, banorët që jetojnë në lagjen Arbëria, dyshojnë se mos furnizimi i tyre i rregullt me ujë dhe e kundërta që po ndodh me komunën e Fushë Kosovës është për shkak të afërsisë që kryeshefi i KRU Prishtina Arsim Fetahu ka me kryetarin e Fushë Kosovës Valon Prebreza.
Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe komunën e Fushë Kosovës lidhur me këtë problematikë.
Prebreza është përgjigjur duke thënë se qytetarët e Fushë Kosovës, nuk kanë pengesa me furnizimin e ujit dhe ka demantuar miqësin me kryeshefin e KRU Prishtina, Arsim Fetahu.
“Furnizimi me ujë nuk shkon me miqasi kujt me i’a lëshu ujin e kujt jo”, deklaroi ai.






