Diplomatit danez, Peter Sorensen i përfundoi mandati fillestar pa nxjerrë në dritë ndonjë rezultat në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi me të cilin e ngarkoi Komisioni Europian. Megjithatë, kjo ndodhi jo për faj të tij. Ai nisi detyrën në shkurt të 2025-ës dhe në po këtë muaj në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta që s’prodhuan institucione, ndërsa në Serbi pati shpërthim protestash. Me postin e vazhduar edhe për dy vjet tjera, emisari europian në Prishtinë sot shpalosi pritjet e tij që në vitin 2026 të mos i ndodhë ajo që i ndodhi më 2025.
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të përfunduar festat e fundvitit, e nisi vitin e punës me një vizitë në Kosovë. Fillimisht, ai u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që fitoi zgjedhjet e parakohshme, si dhe më pas me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Për gazetarët që e pritën para Presidencën dha një mesazh të shkurtë ku u pa se është më optimist për rifillimin e dialogut.
“Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë”.
Takimi i fundit i nivelit të lartë ishte ndërmjetësuar nga ish-kryediplomati Joseph Borrell, para se të ndodhte sulmi i Banjskës.
Shefja e Sorensenit, Kaja Kallas, ende s’ka organizuar një të tillë që kur zëvendësoi Borrellin në krye të diplomacisë, për shkak të mungesës së një kryeministri me mandat të plotë në Kosovë dhe, gjithashtu, parehative në Serbi.
Por, Sorensen u zotua se një i tillë do të mbahet në një kohë të duhur, duke e theksuar se kur një i tillë të thirret, palët do të shkojnë.
Ky koment i tij ishte përgjigje për një pyetje të gazetarëve për kushtet që Kosova ka vendosur për rikthim në tavolinën e dialogut.
“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut — të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, tha ai.
Pas heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës me transferin e qetë të pushtetit që ndodhi në katër komunat veriore të vendit, si dhe me zotimet e Bashkimit Europian për kthim të shtuar të vëmendjes ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë rritur pritshmëritë që Kosova të bëjë hapa më konkretë drejt procesit integrues në BE.
Sorensen bashkë me Kallas janë përballë një presioni që procesin – edhe ashtu shumë të kritikuar – ta vënë në lëvizje për të prodhuar rezultate më të prekshme. Të dy diplomatët kanë në barrë që marrëveshjen e arritur, e njohur si e Ohrit, gjatë mandatit të Borrellit, ta vënë në zbatim.
As Kosova dhe as Serbia nuk kanë bërë progres në zbatimin e kësaj marrëveshje që nga viti 2023.
Radio Evropa e Lirë në Pragë para disa ditësh raportoi se pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe se besohet se Kaja Kallas do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.
“Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment”, raportoi REL.
Gjithashtu, u tha se ekziston mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Europian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.
Por, kjo do të jetë veçanërisht problematike për Kosovën meqë këtë gjashtëmujor të parë të vitit në krye të Presidencës së BE-së është Qipro – një shtet mosnjohës brenda bllokut.
Sidoqoftë, Qiproja do të pasohet nga Irlanda, e cila shihet si më e favorshme për Kosovën, duke marrë parasysh edhe zotimin e saj për angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor.






