I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrtojnë mundësinë e një udhëtimi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ka raportuar të mërkurën Bloomberg News, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, takimi mund të zhvillohet brenda këtij muaji, megjithatë planet ende nuk janë përfundimtare dhe koha e realizimit mund të ndryshojë për shkak të zhvillimeve dhe trazirave në Iran.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë Bloomberg se aktualisht nuk ka asnjë takim të planifikuar.
Raporti shton se zyrtarët amerikanë pritet t’ia paraqesin Putinit dhe ekipit të tij draft-propozimet më të fundit të paqes. Bisedimet do të përqendroheshin në garancitë e sigurisë nga SHBA-ja dhe Evropa për të mbështetur çdo marrëveshje të mundshme, si dhe në rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Kjo vjen pas komenteve të bëra nga presidenti Trump në fillim të këtij muaji, kur ai shprehu zhgënjim ndaj Putinit për luftën e vazhdueshme në Ukrainë, duke përsëritur se fillimisht kishte besuar se përfundimi i konfliktit do të ishte i lehtë.






