Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar familjet të cilat pësuan nga reshjet e mëdha të shiut në lagjen Kodra e Trimave, e për çka premtoi se do të merren me secilin rast dhe se komuna do të qëndrojë pranë tyre, raporton Ekonomia Online.
Tashmë për këto rast, Komuna ka ndarë tri banesa, që do të jepen në periudhën gjashtë mujore.
“Jemi këtu në Kodrën e Trimave, në rrugën Aziz Zhilivoda që ka pasë probleme me vërshime dhe erdhëm me i vizitu familjet me drejtorin Lulzim Fushtica, dhe tani ju kemi gjetur zgjidhje me banesa me qera derisa të zgjidhet problemi me këto zona që janë vërshuese”, tregoi Rama.
Rama me ekipen e tij ka vizituar edhe një familje ku kishte një fëmijë të posalindur e për të cilin ofruan ndihmë.
“E pamë dhe një familje që sapo vizituam dhe kishin një foshnje të posalindur, patëm edhe ekipet nga ambulanta për të ndihmuar nënën e re dhe fëmiut të posalindur. Dhe e kemi tash dhe banesën me qera, të cilën kryeqyteti do ta paguaj për gjashtë muaj derisa të gjejmë dhe zgjidhje më të gjatë”, theksoi kryetari Rama.
Mirëpo këtu Rama pati edhe një kritik për ndërtuesit, duke thënë se situata e krijuara në këtë pjesë është edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, e për të cilat paralajmëroi se do të marrin masa.
“Por në bazë të analizave shihet qartë që ka probleme të cilat i ka bërë vet njeriu. Të krijuar si rezultat i ndërtimeve pa leje, me një zonë që verdhohet shumë lehtë, kemi një lum, një prockë që shihet që është bllokuar dhe për shkak të bllokimit krijohen problemet tjera. Këto janë raporte me të cilat do të merremi, përveç që me gjet zgjidhje për këto familje, një familje vetëm ka lëvizur në ndërtesë me qera dhe dy familje tjera janë duke u trajtuar. Mirëpo sa i përket të ardhmes e kemi një problem që shihet, kyç, që duhet me u trajtu më mënyrë më sistematike, ndërtesat apo ndërtimet që janë bërë jashtëligjshme duhet me u ndalu dhe mos me ndodh gjëra të tilla sepse faktikisht jemi armik i natyrë dhe natyra normal që lufton ndaj gjërave që iu dalin përpara. Këto janë disa nga tretmanët që ne si kryeqytet jemi duke i trajtuar për të ardhmen”, theksoi Rama.
Megjithkëtë, kryetari Rama ka potencuar se ekipet kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në terren dhe kanë nërhyr aty ku ka qenë nevoja, duke theksuar se tashmë 99 për qind e rrugëve veçse janë të kalueshme.
“Sa i përket qytetarëve në zona tjera, ne i kemi pasë ekipet në gjitha hapësirat e kryeqytetit dhe e kemi menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundur… Thuajse 99 për qind e rrugëve janë të kalueshme, por nëse qytetarët kanë nevoja të ndryshme e dinë numrin ku munden me telefonu”, potencoi Rama.






