Presidenti Donald Trump thotë se ushtria amerikane po shqyrton “opsione shumë të forta” në Iran, ndërsa protestat antiqeveritare, të cilat thuhet se kanë vrarë qindra persona, hyjnë në javën e tretë.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA thotë se ka verifikuar vdekjen e gati 500 protestuesve dhe 48 personelit të sigurisë në Iran, ndërsa burimet i tregojnë BBC-së se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.
Trump ka kërcënuar të ndërhyjë dhe tha të dielën se zyrtarët iranianë e kishin thirrur “për të negociuar” – por shtoi se “mund të na duhet të veprojmë para një takimi”.
Udhëheqësit iranianë i kanë përshkruar demonstruesit si një “grup vandalësh” dhe u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të marrin pjesë në marshimet pro-qeveritare të hënën.
Qeveria ka njoftuar gjithashtu tre ditë zie për ata që i quajti “martirë” të vrarë në një “betejë kombëtare kundër SHBA-ve dhe Izraelit” – dy vende që Teherani thotë se po nxisin trazira.
Zemërimi për rënien e vlerës së monedhës iraniane shkaktoi protesta në fund të dhjetorit, të cilat janë shndërruar në një krizë legjitimiteti për Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Trump ende nuk ka dhënë detaje mbi atë që SHBA-të po shqyrtojnë në lidhje me opsionet ushtarake, as mbi negociatat e propozuara, pavarësisht se tha se një “takim po caktohet” me zyrtarët iranianë.
Ai shtoi se udhëheqësit iranianë “duan të negociojnë”, sepse “janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara”.
Një zyrtar amerikan i tha CBS, se Trump është informuar mbi opsionet për sulme ushtarake ndaj Iranit.
Qasje të tjera mund të përfshijnë forcimin e burimeve antiqeveritare në internet, përdorimin e armëve kibernetike kundër ushtrisë së Iranit ose vendosjen e më shumë sanksioneve, thanë zyrtarët për Wall Street Journal.
Burime i thanë BBC-së se protestat vazhduan të dielën në mbrëmje, por në një nivel më të reduktuar krahasuar me ditët e mëparshme, ndërsa frika rritet për një përshkallëzim të masave të ashpra nga qeveria iraniane.
Të paktën 10 mijë e 600 persona janë ndaluar gjatë dy javëve të trazirave, sipas HRANA.
BBC numëroi 180 qese me kufoma në pamjet filmike nga një morg pranë kryeqytetit iranian, me një burim që tha të dielën se rrugët e Teheranit ishin “plot me gjak”.
“Po marrin kufoma me kamionë”, shtoi burimi.






