Lebron James, legjenda e gjallë e basketbollit, mbushi 41 vjeç më 30 dhjetor, duke e nisur vitin 2026 në fushë me fanellën e Los Angeles Lakers. Ky sezon mund të shënojë për të edhe mbylljen e një karriere të jashtëzakonshme, që tashmë zgjat 23 vjet, një rekord në historinë e NBA-së.
Pavarësisht që kontrata e tij skadon në 2026 dhe rinovimi mbetet i pasigurt, Lebron vazhdon të tregojë klas dhe ndikim në fushë, duke mbajtur rekorde të pamposhtura në minutat e luajtura dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çdo aspekt të lojës.
Ylli i Lakers synon të afrohet më tej me rekordet e Majkëll Xhordanit, që ende konsiderohet basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Me 42,471 pikë të shënuara, James është shënuesi më i mirë në historinë e sezonit të rregullt të NBA-së, duke lënë pas legjenda si Karim Abdul Xhabar dhe Karl Maloun.
Përveç shënimeve, ai është pranë podiumit edhe për asistet (11,678) dhe vazhdon të dominojë në tabela me 11,800 topa, një arritje e jashtëzakonshme për një lojtar që nuk luan në pozicionin qendër. Ai renditet gjithashtu i gjashti në historinë e NBA-së për vjedhjet e topit (2,359), duke treguar sa i kompletuar është si basketbollist.
Bashkë me yllin slloven Luka Doncic, Lebron do të synojë edhe një herë titullin, duke treguar se “Mbreti” është ende gjallë dhe i gatshëm të bëjë histori. Mesatarisht mbi 20 pikë për ndeshje dhe mbi 7 asistime për ndeshje, me mbi 50% saktësi nga loja, ai vazhdon të jetë një forcë e pakonkurrueshme në NBA.






