Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Hamasin se ka vetëm një periudhë shumë të shkurtër kohore për t’u çarmatosur plotësisht, duke theksuar se moszbatimi i këtij kushti do të ketë pasoja të rënda.
Deklarata u bë të hënën gjatë një konference për shtyp në Florida, pas takimit që Trump zhvilloi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Presidenti amerikan theksoi se çarmatimi i Hamasit është pjesë e marrëveshjes dhe se nuk ka hapësirë për vonesa.
“Nëse nuk çarmatosen, siç kanë rënë dakord ta bëjnë, atëherë do ta paguajnë shtrenjtë. Ne nuk e duam këtë, por ata duhet të çarmatosen brenda një periudhe mjaft të shkurtër kohore”, deklaroi Trump.
Takimi me Netanyahun, i gjashti mes dy liderëve vetëm këtë vit, u fokusua në disa çështje kyçe, përfshirë fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila pritet gjerësisht të nisë në muajin janar.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor, i dha fund luftimeve që kishin nisur në vitin 2023 dhe përfshinte pezullimin e armiqësive, tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.
Ndërkaq, faza e dytë, e paraparë në planin e paqes prej 20 pikash të Trump, synon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një komiteti palestinez që do të qeveriste përkohësisht enklavën.
Trump tha se pret që procesi i rindërtimit të Gazës të nisë “shumë shpejt”, por nuk ofroi detaje konkrete mbi afatet kohore apo aktorët që do të udhëheqin këtë proces. Rripi i Gazës është shkatërruar gjerësisht pas më shumë se dy vjetësh luftime, ndërsa OKB-ja vlerëson se mbi 80 për qind e ndërtesave janë dëmtuar ose shkatërruar.
I pyetur për situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për dhunën e kolonëve izraelitë, Trump pranoi se ekzistojnë mospajtime mes tij dhe Netanyahut lidhur me këtë çështje. “Nuk biem dakord 100 për qind për Bregun Perëndimor, por do të arrijmë në një përfundim”, tha ai, duke shtuar se beson që kryeministri izraelit “do të bëjë gjënë e duhur”.






