1.8 C
Pristina
Tuesday, December 30, 2025

Kurti në Ditën e Veteranëve: Me luftën tuaj u shkrua historia e çlirimit të Kosovës

Me rastin e Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nderuar luftëtarët e lirisë, duke theksuar se me veprën dhe sakrificën e tyre ata kanë shkruar historinë e çlirimit të Kosovës.

Në një postim të publikuar në Facebook, Kurti uroi veteranët e UÇK-së, duke rikujtuar një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare, qëndresën e familjes Jashari në Prekaz. Ai theksoi se Dita e Veteranëve shënohet më 30 dhjetor, pasi në këtë datë, në vitin 1991, forcat policore serbe ndërmorën aksionin e parë kundër familjes Jashari.

Kurti kujtoi se vetëm tri javë pas kthimit nga stërvitjet në Shqipëri, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij u përballën me përpjekjen e policisë serbe për ta arrestuar komandantin e togut të dytë të vullnetarëve. Mirëpo, ajo që nuk e kishte parashikuar policia serbe ishte rezistenca e armatosur e bijve të Shaban Jasharit, Rifatit, Hamzës dhe Ademit, të cilëve iu bashkuan kushërinj, bashkëfshatarë dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë.

Sipas Kurtit, gjatë 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë përballjesh të ashpra, ku mbi 200 persona u mobilizuan për ta mbrojtur familjen Jashari. Si pasojë e aksionit policor, pati të plagosur, dhjetëra familje të bastisura dhe shumë persona të ndaluar e të arrestuar, përfshirë edhe Shaban Jasharin.

Ai theksoi se dalja e Rifatit, Hamzës dhe Ademit nga rrethimi policor nuk ishte vetëm shpëtim fizik, por edhe vazhdimësi e projektit kombëtar për çlirimin e Kosovës. Familja Jashari do të përballej sërish me sulme të armatosura në janar të vitit 1998, deri te rezistenca heroike e marsit të po atij viti, ku Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë për lirinë e vendit.

Në mesazhin e tij, Kurti i cilësoi veteranët si bashkudhëtarë dhe dëshmitarë të sakrificës së dëshmorëve, duke nënvizuar se kontributi i tyre mbetet themel i shtetndërtimit dhe i faktorizimit të Republikës së Kosovës.

“Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës”, ka përfunduar Kurti, duke uruar jetë të gjatë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA