Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 9 personave, të cilët ngarkohen për përfitimin e e mbi 2 milionë eurove nga mashtrimi i shtetasve të huaj.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur atakuzë ndaj N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q dhe V.M për veprën penale “Mashtrimi”. Ndërsa N.S., akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armëve”, tha Prokuroria Speciale në një njoftim.
“Të pandehurit akuzohen se në bashkëveprim, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri në shkurt të 2024-ës, kanë mashtruar shetas të vendeve të ndryshmve evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar kundërligjshëm mjete financiare në vlerë prej dy milionë e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e një (2,067,271) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit duke u paraqitur rrejshëm si kompani investimesh, kanë kontaktuar viktimat dhe i kanë bindur të investojnë në platformat ”Option888” dhe “Krack”. Gjithashtu, pasi kanë përfituar qasje nga viktimat në aplikacionet e tyre, kanë manipuluar të dhënat, duke i paraqitur investimet (fiktive) në rritje.
“Hetimet kanë vërtetuar se parat e të dëmtuarëve, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë ndarë mes të gjithë të pandehurve. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar, si dhe në mbrojtjen e rendit dhe ligjshmërisë”, thuhet në njoftim.






