Paris Saint-Germain ka shfaqur interes të madh për qendërmbrojtësin e Sporting CP, Ousmane Diomande, duke paraqitur një ofertë prej 45 milionë eurosh.
Sipas gazetës “A Bola”, 22-vjeçari është prioriteti kryesor i PSG-së për mbrojtjen këtë merkato dimërore. Trajneri Luis Enrique e sheh 22 vjeçarin si zgjidhjen ideale për strategjinë e tij taktike.
Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë spikat për aftësinë për të ndërtuar lojën nga mbrojtja, përdorimin e të dyja këmbëve dhe forcën fizike, karakteristika që e bëjnë të përshtatshëm për stilin e lojës pariziene.
Diomande shihet si një investim afatgjatë, duke marrë parasysh se Marquinhos tashmë ka 31 vjet dhe klubi dëshiron të rinovojë gradualisht mbrojtjen. Sporting ka kontratë me të deri në 2027, me plane për zgjatjen deri në 2030, ndërsa klauzola e lirimit është 80 milionë euro.
PSG po monitoron gjithashtu mbrojtësin e Benficës, Tomas Araujo, por Diomande mbetet objektivi kryesor. /ATVLIVE.TV






