Klubi rumun Cluj ka shprehur interes konkret për transferimin e mesfushorit Etnik Brruti, të cilin e sheh si pasues të Lindon Emërllahut, i transferuar ditë më parë te ekipi Polissya në Ukrainë për shumën prej 2 milionë eurosh.
Megjithatë, Malisheva nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë talentin 21-vjeçar. Klubi kosovar kërkon të paktën 800 mijë euro për kartonin e Brrutit, ndërsa synon të mbajë edhe 15 për qind të përfitimit nga një rishitje e mundshme në të ardhmen.
Kontrata e mesfushorit me Malishevën është e vlefshme deri në qershor të vitit 2026, çka e detyron klubin të negociojë me kujdes për të mos rrezikuar largimin e tij pa kompensim financiar.
Brruti ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes në arenën ndërkombëtare, pasi disa muaj më parë vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, duke u ndarë nga Kosova U21, me të cilën ishte aktiv më herët.
Në këtë sezon, 21-vjeçari është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të Malishevës, duke realizuar katër gola dhe duke asistuar në tre të tjerë në 17 paraqitje zyrtare. /ATVLIVE.TV






