Në ditën e nëntë të fushatës elektorale, kryetari i partisë dhe njëherësh kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Alban Hoti nga Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar prezantoi platformën e PBKDSH.
Në deklaratën e tij publike, Hoti theksoi se Kosova ka nevojë për Ballin Kombëtar si një forcë që e sheh politikën si mision kombëtar dhe jo si karrierë individuale.
“Kosova nuk ka nevojë vetëm për pushtet, por për politikë kombëtare që mbron shtetin dhe sovranitetin, forcon identitetin kombëtar dhe i jep politikës dimension moral,” u shpreh ai.
Sipas Hotit, ideologjia e PBKDSH mbështetet mbi tri shtylla themelore: Atdheun, familjen dhe përgjegjësinë shoqërore. Ai nënvizoi se familja është baza e identitetit kombëtar dhe se shteti duhet të garantojë rendin, ligjin dhe drejtësinë si parakushte të lirisë.
Në aspektin ekonomik, Hoti prezantoi vizionin për një ekonomi kombëtare që i shërben qytetarit dhe zhvillimit, duke kundërshtuar oligarkitë dhe monopolin. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një shteti të fortë dhe të drejtë, që garanton rend, ligj dhe drejtësi, duke u bazuar mbi vlerat morale dhe përgjegjësinë qytetare.
Gjatë kësaj dite fushate, Hoti iu referua edhe rolit të Kosovës si faktor i bashkimit kombëtar, duke theksuar orientimin demokratik dhe euroatlantik të PBKDSH.
Po në këtë ditë, Alban Hoti reagoi edhe për një ngjarje me rëndësi historike dhe shpirtërore në Prishtinë, duke e cilësuar si “Krishtlindje Historike”. Për herë të parë pas gati një shekulli, u kremtua Krishtlindja Ortodokse Shqiptare në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës (KOAK), nën bekimin e Kryepeshkopit Nikolla. Hoti e cilësoi këtë moment si rikthim të identitetit dhe drejtësi shpirtërore për besimtarët ortodoksë shqiptarë.
“Kjo është Kosova që ringjallet me dinjitet,” u shpreh ai, duke uruar: “Gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.”






