Ekipi, AS Roma ka hedhur një hap të madh drejt realizimit të stadiumit të saj të ri, duke dorëzuar zyrtarisht projektin që parashikon ndërtimin e impiantit në zonën e Pietralatës, në pjesën lindore të kryeqytetit italian.
Sipas klubit verdhekuq, stadiumi do të karakterizohet nga një Curva Sud monumentale, e cila synon të jetë më e madhja në Europë, si dhe nga një arkitekturë unike që ndërthur traditën romake me elemente moderne, duke ruajtur një lidhje të fortë me identitetin dhe territorin lokal.
Impianti i ri është konceptuar si një hapësirë multifunksionale, që do t’u shërbejë tifozëve dhe qytetit jo vetëm gjatë ditëve të ndeshjeve, por edhe për aktivitete të tjera gjatë gjithë vitit.
Projekti përfshin gjithashtu përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë, mobilitet urban, shërbime publike dhe qëndrueshmëri mjedisore.
Dorëzimi i projektit përfundimtar konsiderohet një moment kyç në procesin e nisjes së punimeve dhe tregon qartë ambicien e AS Romës për të ndërtuar një stadium modern, të qëndrueshëm dhe ekonomikisht funksional, që pritet të kthehet në një simbol krenarie për tifozët dhe qytetin e Romës.
Klubi ka falënderuar kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, si dhe institucionet dhe palët e përfshira për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Stadiumi i Pietralatës është përfshirë gjithashtu në listën e impianteve potenciale për organizimin e ndeshjeve të Euro 2032.
“E ardhmja e shtëpisë sonë po afrohet gjithnjë e më shumë. Forza Roma”, përfundon njoftimi zyrtar i klubit. /ATVLIVE.TV






