Tyson Fury është i gatshëm të rikthehet në ring për t’u përballur me Anthony Joshuan vitin e ardhshëm, por superndeshja që tifozët e boksit e kanë pritur për gati një dekadë do të realizohet vetëm me një kusht vendimtar – ofertën financiare.
Këtë e ka konfirmuar promotori i tij, Frank Warren, duke theksuar se gjithçka varet nga shuma e parave që do të vihet në tavolinë për këtë duel të madh të peshave të rënda.
Përballja Fury–Joshua është diskutuar prej vitesh, sidomos në periudhën kur të dy mbanin tituj botërorë. Fury u shpall kampion i unifikuar pas fitores ndaj Wladimir Klitschko, përpara se të tërhiqej për disa vite nga boksi. Ai u rikthye më pas në mënyrë spektakolare, duke ia marrë titullin WBC Deontay Wilderit dhe duke e mbrojtur atë në disa duele epike, derisa e humbi përfundimisht ndaj Oleksandr Usyk.
Ndërkohë, ishte po Usyk ai që e rrëzoi Anthony Joshuan nga froni në vitin 2021 dhe as Joshua e as Fury nuk arritën ta mposhtnin boksierin ukrainas në ndeshjet e tyre revansh.
Fury është pensionuar zyrtarisht që nga janari i vitit 2025, ndërsa Joshua kishte qenë larg ringut pas humbjes me nokaut ndaj Daniel Dubois në shtator të vitit 2024, deri fundjavën e kaluar, kur ai e mposhti Jake Paulin në një duel të pabarabartë.
Duke folur për Sky Sports, Frank Warren pranoi se “Mbreti Cigan” është i interesuar për meçin me Joshuan, por vetëm nëse plotësohen kushtet financiare.
“Ajo që do ta motivojë Tysonin është aspekti financiar. Ne besojmë se ai mund ta mposhtë AJ. Gjithçka varet nga vlera e ndeshjes. Është një duel gjigant dhe vlen shumë para. Tyson ka çmimin e tij”, u shpreh Warren.
Ai shtoi se ka gjasa të mëdha që ndeshja të zhvillohet në Arabinë Saudite, në kuadër të Sezonit të Riadit.
“Paratë do ta diktojnë vendin ku do të zhvillohet ndeshja. Është kaq e thjeshtë. Ata janë luftëtarë profesionistë dhe shkojnë aty ku janë paratë”, përfundoi promotori i Furyt. /ATVLIVE.TV






