Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka uruar të gjithë qytetarët për Krishtlindje përmes rrjetit të tij social, Truth Social, duke kombinuar urimet festive me përmendjen e aspekteve që ai i konsideron si arritjet më të rëndësishme të mandatit të tij.
“Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim”, shkroi presidenti republikan, para se të rendiste sukseset e tij.
Trump theksoi se gjatë mandatit të tij nuk ka më kufij të hapur, nuk ka burra që konkurronin në sportet e grave, dhe nuk ka zbatim të dobët të ligjit.
Ai shtoi se ajo që ka arritur është një treg aksionesh rekord, shifrat më të ulëta të krimit në dekada, asnjë inflacion, dhe një GDP prej 4.3, dy pikë më mirë se sa pritej.
“Tarifat na kanë dhënë triliona dollarë dhe prosperitet, dhe sigurinë kombëtare më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi të respektuar përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!! Presidenti DJT,” përfundoi Trump postimin, duke i kombinuar urimet për festat me një reflektim mbi arritjet e tij në politikën kombëtare dhe ekonomike.






