A po i rikthehet publiku teatrit? Suksesi i shfaqjes “Bretkosa” duket se jep një përgjigje të qartë: po.
Shfaqja, e cila sonte luhet për herë të 150-të, ka shënuar një rekord të veçantë, duke dëshmuar interesin e jashtëzakonshëm të publikut për artin skenik. E veçanta e shfaqjes së sontme është se të gjitha biletat janë shitur dy ditë përpara shfaqjes, një fakt që rrallë shihet në skenën teatrale.
“Bretkosa” është cilësuar nga publiku dhe njohësit e teatrit si një nga shfaqjet më të mira të inskenuara në Kosovë, falë interpretimit të fuqishëm të aktorëve Ilir Tafa, Basri Shala, Valmir Krasniqi e Lum Veseli, mesazhit të drejtpërdrejtë dhe mënyrës se si arrin të komunikojë me spektatorin.
Pa komplikuar formën, shfaqja prek tema njerëzore dhe sociale, duke e mbajtur publikun të përfshirë nga fillimi deri në fund.
Suksesi i saj nuk matet vetëm me numrin e shfaqjeve apo biletat e shitura, por me faktin se “Bretkosa” po e rikthen teatrin në vëmendjen e publikut, duke krijuar një raport të ri mes skenës dhe shikuesit.
Në një kohë kur shpesh thuhet se teatri po humb audiencën, “Bretkosa” po dëshmon të kundërtën: kur ka cilësi, publiku vjen, mbush sallën dhe e kthen shfaqjen në një ngjarje.
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.
Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU






